Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe partia që ai drejton Lëvizja Vetëvendosje pas pjesëmarrjes në zgjedhjet e Shqipërisë, duket se do të përfshihet edhe në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Këtë e bëri të ditur kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti.
“Vetëvendosje de juro nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de fakto po sepse anëtarë të saj do të jenë në listat zgjedhore siç është Bekim Qoku strugan që ka qenë deputet në parlamentin e RMV në kohën e PDSH dhe tani do të marrë pjesë e listën zgjedhore pra si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim”, tha Mexhiti.
Për ish- ambasadorin e Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, kjo ndërhyrje e kryeministrit Kurti dhe lëvizjes Vetëvendosje në vendet fqinje ku jetojnë shqiptarët, nuk përbën diçka të re.
“Ky involvim i Vetëvendosjes në Maqedoni nuk është prej dje por ka vazhduar me vite të tëra. Vetëvendosja gjithmonë ka pasur një shëtitje në koncipimin e saj të politikës, Vetëvendosja është një simbol për vetëvendosjen etnike dhe gjithë shqiptare. Kemi parë edhe përpjekjen e Kurtit që të marrë pjesë në zgjedhjet në Shqipëri, ndoshta është kjo një pjesë e shëtitjës se çfarë dëshiron VV. Por sjellja e Kurtit po tregon që nuk po ngopet së qenuri vetëm kryeminister i Kosovës”, tha Hysa.
Njohësi i rrethanave politike në Maqedoni të veriut, Albert Musliu, thotë se kryeministri Kurti është emër i respektuar në këtë republikë, por shpreson që pas përfshirjes së supozuar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje të mos ketë përçarje mes Kosovës dhe Maqedonisë së veriut.
“Zotëri Kurti me politikën e tij me luftën kundër korrupsionit ka ndikim tek një pjesë e popullatës në Maqedoni, është figurë e njohur. Se si do të zhvillohet procesi zgjedhor do ta shohim. Mund të ketë edhe përçarje në spektrin politik por uroj të mos ketë probleme afatgjate mes Kosovës dhe Maqedonisë”, tha Musliu për RTV21.
Ndërsa analistja politike në Kosovë Magbule Shkodra mendon se kjo përfshirje e kryeminstirit Kurti në politikën e Maqedonisë do të shkaktojë përçarje në spektrin politik.
“Në këtë mënyrë Kryeministri Kurti po i rrezikon raportet e mira që ne i kemi me Maqedoninë. Kryeministri ka mjaftë probleme në Kosovë , le t’i zgjedhë ato përndryshe do të kemi përçarje në spektrin politik ngjashëm si me Shqipërinë. Që nga ai moment kur kryeministri Kurti mori pjesë në zgjedhjet në Shqipëri, filluan të prishën raportet me kryeministrin Rama”, tha Shkodra.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka komentuar informacionet për përfshirjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni të veriut.