Është gjetur e vrarë ditën e sotme 14 vjeçarja Vanja Gjorçevska e zhdukur që nga 27 nëntori – njoftojnë nga MPB-ja dhe Prokuroria.
Sipas njoftimit ajo është grabitur me automjet para shtëpisë së saj, kurse është vrarë ditën e njëjtë më 27 nëntor, rreth orës 10.00, në Veles.
Në afërsi të trupit të pajetë të Vanjës, është gjetur edhe një person tjetër I vrarë I moshës 70 – vjeçare.
Sonte vonë në Gjykatën Penale pritet të sillen tre nga pesë të dyshuarit e vrasjes ndërsa njëri prej tyre është në arrati jashtë vendit.
Policia njofton se ka gjetur edhe një makinë të djegur të tipit “Citroen” dhe pas ekspertizës, janë siguruar dëshmi materiale për implikimin e personave të dyshuar.
MPB-ja dhe PTHP-ja, kundrejt të gjitha spekulimeve dhe dezinformatave, sipas së cilave ky rast ka prapavijë etnike, njofton se të gjithë të dyshuarit i takojnë përkatësisë etnike maqedonase.
Nga Prokuroria kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme (e hënë) do të ketë më shumë informacione për rastin e Vanjës. Më herët MPB e Maqedonisë njoftoi se janë ndaluar pesë persona për këtë rast, ndërsa për tre nga ta është kërkuar paraburgim për të hetuar lidhshmërinë dhe për të mbledhur provat e duhura.