Në mes të ditës, në një banesë në fshatin Zhamë të Lushnjës janë grabitur në një banesë rreth 13 milion lekë.
65-vjeçarja Jalldize Ibraliu e cila ka qenë pre e kësaj grabitje, ka treguar për mediat se një grua duke i thënë se ishte nga Tetova e kishte mashtruar duke e vënë në gjumë dhe më pas i kishte vjedhur paratë.
Ajo thotë se “gruaja nga Tetova” në fillim i kishte kërkuar ujë dhe si pa e kuptuar atë e kishte zënë gjumi duke mos mbajtur mend asgjë.
“Hyri te porta, thashë mikeshë jo se nuk e njihja. Më tha vij nga Tetova, du içik ujë. I thashë nga Tetova vjen për ujë ti, nuk kam mundësi unë. A nuk sheh si jam? Pa depozitën që ishte aty, mbushi ujë. Më tha dalim çik në diell, më tha të paskan bërë magji. Ime më më tha është 80 vjeçe, më tha duan që të vrasin çunin, i thashë si di unë këto llafe. E s’mbaj mend më asnjë gjë. Nuk e di ça më bëri. Më duket sikur ia kam dhënë me duart e mia. Kur mori kthesën poshtë, u mendova ça më bëri kjo grua, e shkova drejt e te lekët. I kam pas te një kasetë e vogël, se dinte asnjë vendin e tyre. Mund të ishte 40 ose 30, nuk ishte moshë e thyer. Eh mor Zot qysh më erdhi e zeza, që isha gjys robi! O Zot i madh! Këtu te koka e krevatit poshtë i ka marrë lekët. Më është fiksuar sikur ja kam dhënë me duart e mia. (paratë) Offf oj nanë!”
65-vjeçarja invalide mes lotëve ka treguar se autorja e grabitjes ishte një grua e dobët e cila kishte ardhur në lagjen e saj me makinë.
“Ishte e gjatë, e dobët, e zezë në fytyrë edhe veshjen me kostum sportiv, me tuta. E mbaj mend shumë mirë, e kam parasysh. E kam fiksu, siç më ka thënë mua i ka thënë dhe një gruaje tjetër, ajo ishte e zgjuar, me këmbë e jo si unë. Ishte ul aty se ça më ka bërë nuk e di se shih si jam. Me bukë e pa bukë, ishalla më ndihmon Zoti!”
Kur ka ndodhur grabitja, e moshuara ka qenë e vetme në shtëpi, ndërsa burri i saj në punë. Nga ora 12:00 deri në orën 20:00, 65-vjeçarja ka qenë pa ndjenja. Kur bashkëshorti i saj, Arif Ibraliu ka mbërritur në shtëpi ka parë gjendjen e gruas dhe kutinë ku mbanin paratë bosh.