13/11/2025
spot_img

Taravari për vdekjen e vajzës 14-muajshe: Mos prisni të sillem si gjykatës, organet kompetente ta hetojnë rastin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka konfirmuar pohimet e prindërve se fëmija 14-muajshe që ndërroi jetë një ditë më parë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup disa herë ishte refuzuar që të hospitalizohej nga ana e Klinikës dhe ishte kthyer për trajtim në shtëpi. Taravari tha se përgjegjësi patjetër se do të ketë për secilin që ka bërë lëshime në rastin në fjalë. Por, ministri tha se nuk do të gjykojë askënd para se për të njëjtën të veprojnë organet e drejtësisë.

“Për detaje të mëtutjeshme lejoni që komisioni të konstatojë, mos prisni që unë të sjell vendime sepse është joracionale dhe jo e arsyeshme. Kjo mund të pritet prej një sistemi shëndetësor që është i devastuar dhe degjeneruar. Në detaje jam i informuar rreth gjithë asaj se çfarë ka ndodhur dhe patjetër se do të ketë përgjegjësi, por mos prisni prej meje sot të sillem si gjykatës dhe të sjell një vendim sepse më duhen detaje, më duhen organet kompetente të konstatojnë në qoftë se ka pasur gabim mjekësor dhe në bazë të asaj lënda të lëshohet në gjykatë dhe atje të sillet vendimi definitiv”, deklaroi Taravari.

Për humbjen e vajzës 14 muajshe, familjarët akuzojnë për  pakujdesi mjekët e Klinikës së Fëmijëve të cilët nuk përfillën simptomat që për disa ditë i kishte shfaqur fëmija. Sipas familjarëve, pavarësisht që fëmija ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore mjekët kanë refuzuar të shtrohet për trajtim në Klinikë.

Vajza është lëshuar për trajtim në shtëpi me arsyetimin e mjekëve se nuk bëhet fjalë për simptoma serioze. Madje, familjarët dyshojnë për fshirje të dosjes nga Klinika e Fëmijëve me qëllim të humbjes së dëshmive. Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi tha se për të gjitha dilemat rreth asaj se mund të ketë pasur lëshime në trajtimin e vajzës do të përgjigjen institucionet përkatëse pasi të kenë ndërmarrë të gjitha masat e duhura. Memedi tha se fëmija ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore të përgjithshme në momentin që është transferuar nga Klinika “Kozle”.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISSH) Kiril Lazov tashmë ka deklaruar se do të bëjë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet shëndetësore ku më parë është trajtuar fëmija e ndjerë, për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë paralajmëruar se për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës të objekteve shëndetësore, si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor. Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë do të iniciojë një komision për mbikëqyrje eksperte në të dyja institucionet shëndetësore. Ndërkaq sot familjarët i dhanë lamtumirën e fundit  vajzës 14-muajshe, shkruan Alsat, përcjell infozona.mk.

TE TEJRA
~ JM Organics Macedonia ~ ~ Verona Travel ~ ~ RADIO RED ~ LIVE RADIO ~ Marmo Fix ~ ~ Caramell Baby ~

TE FUNDIT