16/05/2025
spot_img
HomeLAJMESveçla: As që bëhet fjalë për rikthimin e policëve serbë në Policinë...

Sveçla: As që bëhet fjalë për rikthimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të dielën, duke folur rreth kërkesës për rikthimin e policëve serbë që kanë dhënë dorëheqje në vitin 2022 pas presionit nga Serbia, ka thënë se nuk ekziston asnjë mundësi që ata të rikthehen sërish në Policinë e Kosovës.

Anëtarët e komunitetit serb në veri të vendit kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor 2022. Megjithatë, ndonëse vetë i ka detyruar serbët të braktisin institucionet, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka bërë thirrje së fundi që të dorëhequrit të kthehen në punë.

“As që bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e Vuçiçit që ish-policët të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës. Kjo jo vetëm se është shkelje ligjore, por është edhe shkelje e vullnetit politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri kosovar.

Ai ka folur edhe rreth sulmit terrorist e paramilitar në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Aktakuzën për rastin “Banjska” ministri Sveçla e ka konsideruar të mangët, ngase sipas tij, nuk i përfshin disa zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe, përfshirë edhe presidentin e Serbisë.

“Aktakuza ndaj këtij grupi terrorist jo vetëm se është e vonshme, por është edhe e mangët për shkak se nuk përfshin komandantin e kazermës ku është trajnuar ky grup terrorist, zëvendëskomandantin dhe komandantin e ushtrisë së Serbisë, nëse jo edhe vetë Vuçiçin”, u shpreh Sveçla.

Ministri Sveçla nënvizoi se pavarësisht disavantazheve për shkak të situatës gjeopolitike në botë pas agresionit rus në Ukrainë, autoritetet kosovare kanë arritur sukses në parandalimin e aneksimit të 17% të territorit të Kosovës.

TE TEJRA
~ JM Organics Macedonia ~ ~ Verona Travel ~ ~ RADIO RED ~ LIVE RADIO ~ Marmo Fix ~ ~ Doros Premium ~ ~ Caramell Baby ~

TE FUNDIT