Sot (10 dhjetor) në Gostivar është zhvilluar aktiviteti parandalues-edukativ “Bëhu shofer i përgjegjshëm, përdor pajisje dimërore”, të cilin e realizuan Departamenti për Parandalim dhe Stacioni i Policisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor Gostivar.
Në një pikë kontrolli të vendosur në afërsi të stacionit të pagesës rrugore në Gostivar, zyrtarët policorë duke biseduar me një numër të madh të vozitësve, u kanë theksuar se duhet të lëvizin me kujdes dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës. Po ashtu, drejtuesit e mjeteve janë këshilluar që të kenë dhe të mbajnë në veturat e tyre dhe në automjetet e tyre pajisjet dimërore të parashikuara me ligj, veçanërisht nëse udhëtojnë për në Strazhë dhe Mavrovë.
Drejtuesit morën edhe këshilla të tjera praktike të dobishme për pastrimin e xhamave të automjeteve, përdorimin e antifrizit dhe kontrollin e vajit në automjete. Në kuadër të këtij aktiviteti, shoferëve iu shpërndanë fletushka të posaçme nga MPB-ja, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Fakulteti për Siguri-Shkup me një sërë informacionesh të dobishme në to për sjelljen e shoferëve gjatë kushteve dimërore.
Një aktivitet i tillë është planifikuar edhe në zonën e Tetovës javën e ardhshme. Qëllimi i aktivitetit është ngritja e vetëdijes dhe kulturës në komunikacion të drejtuesve të mjeteve për lëvizje të qetë dhe të sigurt në rrugë gjatë periudhës së dimrit.