Qyteti i Strugës është një nga qytetet shembull ku të gjitha bashkësitë etnike, shqiptarët, maqedonasit, turqit, romët etj, zhvillohen dhe jetojnë pa njohur diskriminimin. Ç’do grup kulturor shpreh, promovon, dhe trashëgon kulturën e tij, dhe kjo ndër vite është arritur fal dialogut të hapur, njohjes dhe pranimit të vlerave të tjetrit dhe respektit reciprok.
Në qytetin e Strugës inkurajohet bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe pranimi i diversitetit kulturor nëpërmjet shumë aktiviteteve që realizojnë vazhdimisht komuna e Strugës dhe OJQ të ndryshme, duke kyçur pjesëtarë të secilit komunitet. Një rast konkret është edhe realizimi i aktivitetit “Sofra Strugane”, i cili u jetësua fal projektit “Mundësi të barabarta në kulturë për të gjitha bashkësitë etnike”.
Shumë qytetarë, aktivistë, të rinj dhe personalitete të komuniteteve të ndryshme, u bënë bashkë në këtë sofër dhe shtruan çështjet që i preokupojnë si komunitete. Ajo që e karakterizoi “Sofrën Strugane”, që është një aktivitet pothuajse i rrallë në shtetin tonë,përveç debateve, diskutimeve, programit kulturor në gjuhë të ndryshme, ishin edhe mesazhet se si duhet ruajtur toleranca në një shoqëri multietnike, që përfshijnë:
Edukimi dhe ndërgjegjësimi: Hapi i parë është njohja dhe pranimi i diversitetit. Edukimi duhet të përfshijë informacion rreth historisë, gjuhës, artit dhe traditave të kulturave të ndryshme.
Mbështetja e veprimtarive kulturore: Nxitja e eventeve kulturore dhe festivaleve është një mënyrë për të promovuar dhe vlerësuar diversitetin kulturor. Këto ngjarje mund të përfshijnë ekspozita artistike, koncerte, shfaqje të teatrit, dhe aktivitete të tjera që shpërfaqin diversitetit kulturor.
Krijimi i politikave përkrahëse: Qeveritë dhe organizatat duhet të zhvillojnë politika përkrahëse që ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kjo përfshin mbrojtjen e komuniteteve nga diskriminimi dhe promovimin e barazisë kulturore.
Komunikimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar: Në një botë të globalizuar, komunikimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë të rëndësishme. Këtë mund ta bëjmë duke ndarë informacione dhe duke krijuar lidhje të qëndrueshme me komunitetet e tjera në nivel ndërkombëtar.
Përdorimi i teknologjisë: Teknologjia ka një rol të rëndësishëm në promovimin e diversitetit kulturor. Përdorimi i internetit dhe teknologjive të tjera për të ndarë informacionin dhe për të krijuar platforma të përbashkëta mund të ndihmojë në ndërtimin e një kulture të përbashkët të kuptimit dhe respektit.
Fushatat e informimit dhe sensibilizimit: Kampanjat e informimit dhe sensibilizimit mund të ndihmojnë në ndërgjegjësimin e publikut rreth rëndësisë së diversitetit kulturor dhe ndihmojnë në parandalimin e stereotipeve dhe paragjykimeve.
Kurikulat shkollore me orientim multikulturor: Në sistemet arsimore, është e rëndësishme të përfshihet njohuria e kulturave të ndryshme. Kjo do të ndihmojë në formimin e një brezi të me një perspektivë më të pasur dhe të ndërgjegjshme.
Përmes këtyre hapave, mund të ndihmojmë në ruajtjen dhe promovimin e diversitetit kulturor, duke krijuar një mjedis më të qetë dhe në harmoni për të gjithë.