Në tubimin madhështor të Frontit Europian, të mbajtur në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, një nga fjalimet më të fuqishme ishte ai i Skender Rexhepi-Zejdit.
Ai kujtoi zhvillimet politike të vitit 2008, kur shqiptarët rrëzuan qeverinë e atëhershme PDSH-VMRO, duke e krahasuar me pushtetin aktual.Shkruan Top24
“Historia po përsëritet. Tetëmbëdhjetë muaj zgjati qeveria VMRO-PDSH antishqiptare dhe qeveria pa legjitimitet. Ndërsa sot, po ju përgëzoj, sepse pikërisht po aq do të zgjasë edhe kjo qeveri pa legjitimitet, antishqiptare e VMRO-së,” theksoi Zejdi.
Ai shtoi se shqiptarët, njësoj si në vitin 2008, do të dinë të japin përgjigjen e merituar, duke e cilësuar këtë moment si një kthesë vendimtare për të ardhmen politike të vendit.
“Ata të cilët e sollën ndryshimin në vitin 2008, të cilët e flakën atë qeveri të qenurit shërptor të PDSH-së përballë Gruevskit, sot pikërisht jeni ju që do ta flakim këtë pushtet të qenurit shërptor i VLEN-it përballë pasardhësve të Gruevskit-Mickoskit,” tha Zejdi.
Me këtë mesazh, ai theksoi se historia po përsëritet dhe se shqiptarët përsëri janë në prag të një vendimi të madh politik, për ta ndalur, siç tha ai, një qeveri që nuk i shërben interesave të tyre kombëtare.
“Ju faleminderit, Zoti ju bekoftë të gjithëve,” përfundoi fjalimin e tij Zejdi, i shoqëruar nga duartrokitjet e zjarrta të të pranishmëve në sallë.