Rruga “August Cesarec” merr emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, atdhetarit nga Tetova, Mehmet Gega.
Për jetën dhe veprën e tij u organizua edhe një Akademi Përkujtimore.
Në këtë përurim, sic njofton KlanM, krahas Kryetarëve të Komunave të Çairit dhe Tetovës, morën pjesë edhe përfaqësues të spektrit politik në vend, por edhe familjarët e Mehmet Gegës dhe vajza e tij Valdete Gega.
Sipas kreut të Komunës së Çairit emërtimi i kësaj rruge bart në vete shumë simbolika.
“Janë lidhur rrugët të cilët janë domethënëse për kombin tonë. Jo më larg se këtu kemi nobelistin Ferid Murad, jo më larg se këtu kemi arritur që shkollën fillore të emërtojmë “Ismail Qemali” dhe jo më larg se këtu, kjo rrugë ka lidhshmëri me bulevardin apo rrugën “Adem Demaçi” i cili njëkohësisht ishte edhe mik shtëpie i Mehmet Gegës”, tha Visar Ganiu.
Mehmet Gega i lindur në vitin 1921, ndërroi jetë në vitin 2006. Ishte mësues, aktivist për të drejtat e njeriut, veprimtar I çështjes kombëtare, I dënuar disa herë me burgim nga pushteti ish-jugosllav.
Inaugurimi i Rrugës në Komunë e Çairit përkon edhe me 55-vjetorin e Demostratave të lavdishme të Tetovës, ku Mehmet Gega u dënua me 10 vite burg si organizator i tyre.