Në seancën e sotme, mjaft të tensionuar, deputeti nga radhët e BDI-së, Arben Ziberi ka tentuar të sulmojë deputetin e majtë Borisllav Kërmov, por në mes tyre është futur kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Nga partia “E Majtë” thonë se nuk i tremben BDI-së.
“Ne u themi banditëve të amnistuar të BDI-së se koha e frikësimit të popullit maqedonas ka mbaruar dhe se pasardhësit e tyre VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë kohë që janë delegjitimuar në sytë e popullit maqedonas. Po vijnë kohë të reja dhe në Kuvendin e Maqedonisë do të shkruhet histori e re”, thanë nga “E Majta”.
E gjithë kësaj i parapriu një incident në Kuvend, kur Kërmov filloi të kërkojë ndërprerjen e seancës. Ai theu kompjuterin, mikrofonët dhe së bashku me Dimitar Apasievin i hodhën amendamentet nënkryetarit të Kuvendit, Goran Misovski, i cili e drejtonte seancën. Arsyeja ishte se nuk u pranuan amendamentet e tyre për ndryshimin e Rregullores së Punës./Telegrafi/