Ndryshimi i temperaturave është shoqëruar me shtimin e rasteve të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës.
Mjekët thonë se rastet kanë qenë të shumta, por situata është stabilizuar.
Xhentiljana Nazaj, Mjeke: “Pacientët paraqiten dhe ankohen për një temperaturë të lartë që zgjat 1 deri në 3 ditët e para. Ankohen për dhimbje fyti, mpirje të muskujve, kollë të thatë që më vonë bëhet edhe më e fortë dhe që në këto raste ne rekomandojmë që të paraqiten tek mjeku për të parë dhe vlerësuar situatën në të cilën ndodhen. Në rastet më të rralla mund të paraqiten si të vjella dhe diare”.
Sipas mjekes në Qendrën Shëndetësore nr. 10 Xhentiljana Nazaj nëse pacientët kanë shenja si këputje, apo kollë ngacmuese, duhet të këshillohen me mjekun e familjes.
Xhentiljana Nazaj, Mjeke: “Kjo varet nga mënyra se si pacienti është trajtuar gjendja e tij shëndetësore, sëmundjet bashkëshoqëruese. Dihet që gjithmonë virozat e gripit lënë tek disa pacientë komplikacione, dhe mund të them që ajo mund të trajtohet në kushtet e shtëpisë me antiinflamator ose antisimptomatik kolle, apo të temperaturës. Por gjithmonë duhet të jemi në kontakt edhe me mjekun dhe është ai që pastaj vlerëson nëse duhet apo jo të vish pranë qendrës shëndetësore për t’u vizituar, për të bërë vizitën fizike, ku dhe vlerësohet dhe mjekimi i rastit”.
Mjekja, gjithashtu, rekomandon që pacientët duhet të këshillohen me mjekët dhe jo të marrin ilaçe pa recetë, pasi kjo bën që gripi të lërë efekte anësore ku në disa raste, pasojat e tij mund të shkaktojnë komplikacione të rënda të sistemit të frymëmarrjes, duke vënë në rrezik individët me sisteme imune të dobësuar, ose me kushte shëndetësore të ndryshme.