Radiotelevizioni Italian (RAI) ka nisur transmetimin e programit të parë në gjuhën shqipe, i dedikuar posaçërisht komunitetit arbëresh në Itali. Ky është një hap historik për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e kulturës arbëreshe, që ka mbijetuar për shekuj në rajonet e Kalabrisë, Sicilisë dhe Italisë së Jugut.
Programi fillon më 21 shtator, me episod çdo të diel në televizion, ndërsa në radio do të transmetohet një emision i përditshëm i fokusuar në kulturën arbëreshe, nga e hëna deri të premten, me përsëritje gjatë fundjavës.
Ky format synon të sjellë lajme, kulturë, muzikë dhe tema sociale që lidhen me jetën e arbëreshëve, duke u dhënë atyre një zë më të fuqishëm në mediat italiane. Përmes kësaj nisme, RAI jo vetëm që i jep rëndësi diversitetit kulturor, por ndihmon edhe në mbajtjen gjallë të një pasurie të çmuar të gjuhës shqipe.
Ky transmetim shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke treguar përkushtimin ndaj një komuniteti që ka ruajtur me fanatizëm traditat, zakonet dhe gjuhën e të parëve.