SHBA, vrau 10 persona në një supermarket, prokurorët kërkojnë dënimin me vdekje.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë të premten prokurorët federalë kërkojnë dënimin me vdekje kundër një supremacisti të bardhë, i cili vrau 10 afrikano-amerikanë, në një supermarket të qytetit Buffalo, të Nju Jorkut.
Payton Gendron, 20 vjeç, po vuan tashmë një dënim me burgim të përjetshëm, pa asnjë mundësi lirimi me kusht, mbi sulmin e kryer në vitit 2022. Ai u deklarua fajtor për akuzat shtetërore për vrasje dhe terrorizëm të brendshëm të motivuar nga urrejtja.
Përplasje të ashpra me bandat e kokainës – Dhuna në Ekuador prek të gjithë botën
Presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa deklaroi për BBC-së se dhuna e bandave që shpërtheu në mënyrë dramatike këtë javë në vendin e tij është një problem për të gjithë botën.
Në ditët e trazirave dy liderë bandash u arratisën nga burgu, rojet e burgut mbaheshin peng dhe pajisje shpërthyese u vendosën në një numër qytetesh anembanë vendit.
Më pas, një ditë pasi Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, njerëz të armatosur hynë në studiot e televizionit TC në Guayaquil, duke kërcënuar stafin me armë teksa ishin drejtpërdrejt në transmetim.
Duke folur për BBC gjatë vizitës së tij të parë në Guayaquil që nga dhuna, presidenti pranoi se puna që e priste atë për të rivendosur paqen në vend ishte e frikshme.
Griffiths: OKB-ja është dëshmitare e “skenave të tmerrshme” në Gaza
Martin Griffiths, njeriu përgjegjës për operacionet e ndihmave të OKB-së në Gaza, ka paraqitur një pamje të tmerrshme të kushteve në Rrip, duke thënë se kolegët e tij kanë qenë dëshmitarë të “skenave të tmerrit të plotë”.
Griffiths tha se shumë njerëz nuk kishin më shtëpi ku të ktheheshin, dhe se kishte strehimore në enklavë që strehonin shumë më tepër njerëz sesa mund të përballonin. Ai mes tjerash theksoi se ushqimi dhe uji po mbaronin dhe rreziku i urisë po rritet nga dita në ditë, raporton CNN.
SHBA: Stuhia dimërore lë më shumë se 250 mijë familje pa energji elektrike
Një stuhi dimërore ka goditur Midwestin e SHBA-së, duke lënë më shumë se 250,000 familje pa energji elektrike në Michigan dhe Wiscons. Rreth 151,203 shtëpi dhe biznese janë pa energji në Michigan, sipas të dhënave që PowerOutage.US regjistron dhe përpilon për ndërprerjet e energjisë elektrike në SHBA.
Në Wisconsin, 102,692 familje janë pa energji elektrike që nga mesnata e së premtes.
Erërat e forta dhe reshjet e borës bënë që linjat ajrore të vonojnë më shumë se 7600 fluturime në SHBA dje, ndërsa avionët u ndaluan në Aeroportin Ndërkombëtar O’Hare të Çikagos.
Rreth 20 të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Kolumbi
Një rrëshqitje dheu në Kolumbinë veriperëndimore të premten la të paktën 18 persona të vdekur dhe rreth 30 të plagosur. Të gjendur në rrugë, “shumë njerëz” u “strehuan në një shtëpi” pranë komunës së Carmen de Atrato, “por fatkeqësisht erdhi një rrëshqitje dheu dhe i varrosi ata”, tha zyrtari, duke raportuar 18 të vdekur deri më tani. Imazhet në mediat sociale dhe kanalet televizive treguan makina të shkatërruara nga balta dhe rrëshqitjet e dheut. Ndërsa Kolumbia po kalon një periudhë thatësire, Instituti i Hidrologjisë, Meteorologjisë dhe Studimeve Mjedisore kishte paralajmëruar më parë për rrezikun e shirave të dendur në disa zona në kufi me Paqësorin dhe Amazonën.
Rritet në 23.843 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Të paktën 135 palestinezë janë vrarë dhe 312 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit ndërsa forcat izraelite po vazhdojnë sulmet e tyre në Rripin e Gazës, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar.
“Forcat okupuese izraelite kryen 12 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke rezultuar në 135 të vdekur dhe 312 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 23.843, ndërsa 60.317 janë plagosur, shtoi ministria.
Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Autoritetet pretendojnë se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.
Sulmet izraelite e kanë lënë Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.