Bulevardi Bllagoja Toska në Tetovë që u promovua muaj më parë, është lëshuar në përdorim pa pëlqim nga ana e Sektorit për punë të brendshme në Tetovës. Kjo rrugë nuk ka semaforë e as rrethrrotullim. Sipas të dhënave të SPB-Tetovë, numri më i madh i aksidenteve në Tetovë ndodhin në këtë bulevard.
“Sa i përket kësaj rrugë, nga pjesa rruga ‘29 nëntori’ deri tek ‘Vëllezërit Milladinov’ nuk ka pëlqim nga sektori në Tetovë dhe një nga arsyet kryesore është edhe mos rregullimi i komunikacionit në këtë udhëkryq ku siç cekët edhe ju ndodhin shpesh aksidente trafiku pasi që në këtë rrugë nuk ka as rrethrrotullim as semafor që do ta rregullonin trafikun në rrugë.”- deklaroi Fatmir Rexhepi – Zëdhënës i SPB-së Tetovë.
Kërkuam përgjigje nga komuna e Tetovës, se pse nuk kanë kërkuar pëlqim nga SPB Tetovë!? Pse është lëshuar në përdorim pa pëlqim dhe kur do të vendosen semaforë apo rrethrrotullim!? Nga atje fillimisht na thanë se do të përgjigjen brenda ditës por më pas na premtuan përgjigje javën që vjen. Në periudhën nga janari deri më 31 tetor 2023 janë regjistruar gjithsej 335 aksidente trafiku, prej të cilave 20 kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore, 138 me lëndime të lehta trupore dhe 177 aksidente vetëm me dëme materiale. Fatmiresisht këtë vit në rrugët e qytetit nuk ka pasur as një viktimë.
Sipas të dhënave të mësipërme, muaji korrik vazhdon të ketë numrin më të madh të aksidenteve rrugore dhe ky numër është dy herë më i lartë krahasuar me muajt e tjerë të vitit.