Poetja dhe studiuesja nga Shkupi Lindita Ahmeti, është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 50 vjeçare.
Lajmin për humbjen e saj e ka bërë të ditur babi i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti.
Ai në rrjetet sociale ka shkruar: “Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore.”
Bota letrare, miqtë dhe familjarët janë në shok, pasi vdekja ka ndodhur papritur.
Ngushëllime dhe vlerësime të mëdha shprehen në rrjetet sociale për humbjen kaq befas.
Lindita Ahmeti ka lindur më 26 prill 1973 në Prizren. Pas diplomimit nga shkolla e mesme në Shkup, ajo studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit, ku edhe u diplomua. Ajo aktualisht punonte në Institutin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve dhe ishte anëtare e Klubit PEN në Maqedoni.
Lindita shkruante poezi në gjuhën shqipe që nga fillimi i viteve ’90. Merrej edhe me përkthime nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja në shqip.
Poezia e saj është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme. Jetonte në Shkup. Librat e botuar në gjuhën shqipe: 1993: Mjedra dhe bluz; 1996: Ishulli Adular; 2000: Brezi dhe Zonjës; 2004: Vetë përballë Erosit; 2008: Lulja alba (zgjedhje); 2015, Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim; 2015 Dhoma pa derën dalëse. Përkthime në maqedonisht: 1998: Камена месечина (Hëna e gurtë); 2002: Син сон (Ëndërr e kaltër); 2007:Призивање во април (Evokime në prill); 2011: Утрешните монети (monedhat e nesërme) dhe në gjuhën bulgare 2008: Пролетен копнеж, ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake.
Ishte fituese e plot çmimeve dhe mirënjohjeve.
Lindita Ahmeti ishte motra e aktorit të ndjerë Luran Ahmeti dhe vajza e shkrimtarit Xhabir Ahmeti.
Familja Ahmeti – Lurani e Lindita të vegjël





LIVE RADIO
~ Marmo Fix ~

