Ka ndërruar jetë legjenda e rezistencës kombëtare, ish-i burgosur për bindje politike në Tiranë (10 vjet burg), më vonë edhe në Shkup.
Voka, njeriu që një jetë ia kushtoi idealit per Shqipëri etnike. Jeta e tij ka qenë një golgotë e vërtetë. Vite e vite u dergj nëpër kazamatet jugosllave por kurrë nuk u thye.
Si lider i Partisë Kombëtare të Punës, bashkë me Zaim Beqirin dhe shokë të tjerë, u dënua nga ish-regjimi komunist jugosllav (me 13,6 vjet burg), i njohur ndër miq e shokë si “Mbreti i kalasë së Oeneumit të Fushëmadhes” nga Shipkovica e Tetovës, Rahim Beqir Nezir Voka.
Gjatë luftës së 2001, vullnetarisht bëhet ushtar i UÇK-së, ku betohet para flamurit me lot e pushkë në dorë duke brohoritur: “Rroftë Shqipërimadhja, Rroftë Flamuri kuqezi! Rroftë Përkrenarja e Bridhisë në kokën e Skënderbeut! Rroftë vendlindja e Skënderbeut, Shpella e Hisarit! Rroftë qyteti i nënës së Skënderbeut, Oeneum! Pas luftës së dështuar të 2001, Lalë Rahimi nga inati i patriotizmit dhe dashurisë së thellë ndaj kombit, flamurit dhe trojeve shqiptare, shpall zonën e tij të lirë mbi qytetin e Tetovës, me një territor disa mijë metërshe që kap Banjën e Tetovës, Hidrocentralin, Teqenë e Shipkovicës, Gurin e Shqipes(Panjovicës), në këtë shkëmb të lartë valon flamuri shqiptar. Qendra kryesore e Zonës së Lirë Shqiptare e Lalë Rahimit ishte Shpella e Hisarit. Kjo Shpellë ishte rezidenca e Lalë Rahimit. Çdo mëngjes e mbrëmje, ai betohej e lutej para flamurit Kombëtar, duke kërkuar mirësi, urtësi, urata e liri të përbashkët për të gjitha trojet shqiptare. La Rahimi nuk ishte përkulës e nuk kërkonte lëmoshë nga askush, ai vetvetiu shpalli zonën e lirë shqiptare me kufijtë e vet pa ndihmën e partive politike dhe komandantëve, ai s’kërkoi lirinë e shqiptarëve nga maqedonasit, po nga vetvetja.
Përcjellja në botën e amshuar do të bëhet ditën e nesërme, më 19 nëntor (e diel, në mesditë), në varrezat e qytetit të Tetovës. Lavdi e përjetshme figurës dhe sakrificës së tij ndër dekada!