
Edhe pse pritet që fjalën e fundit ta thotë raporti i ekspertizës mjeko-ligjore, historiku i sëmundjes së futbollistit nuk është i panjohur. Vitet e para në europë në moshë ende të re, Duamena i kaloi në Austri dhe Zvicër, aty ku shkëlqeu më së shumti me Xyrihun. Në vitin 2017 nisi historiku i problemeve shëndetësore. Anglezet e Brighton e blejnë kartonin e tij për 13.8 mln euro, edhe pse testet mjekësore treguan problemet kardiake dhe transferimi dështoi.
Gjithsesi, Duamena gjeti sistemim në Spanjë ku luajti me Levanten dhe Real Saragozen. Por gjendja e tij shëndetësore ishte aq e rënduar, kështu që në vitin 2019 mjekët i sugjeruan tërheqjen e mënjehershme nga futbolli.
Sulmuesi Duamena u tregua ‘rebel’ ndaj vendosi që të vazhdojë të luajë në fushën e futbollit dhe një vit më vonë vendosi edhe defribilator në zemër. Ky aparat që gjithsesi nuk e mbrojti dot nga goditja e radhës në zemër në 27 tetor 2021 në një ndeshje të kupës së Austrisë kur ai luante për Linz. Në vitin 2022, Daumena rikthehet në kategoritë e ulëta të futbollit por refuzohet nga shumë klube në Europë.
Kjo për shkak të rregullave dhe standardit të futbollit, që fatkeqësisht nuk respektohen në Shqipëri.
Duke qenë në dijeni të historikut të tij shëndetësor, klubi i Egnatias realizon tërheqjen e Duamenës në ekip. Talenti i futbollistit nga Gana u shfrytëzua në maksimum, ku në fakt ai shkëlqeu duke u konsideruar madje si golashënuesi më i mirë i ekipit.
Drejtuesit e futbollit shqiptar rrezikojnë shëndetin e lojtarëve, në funksion të interesave të tyre, duke mos respektuar standardet europiane. Teksa Rafael Duamena u refuzua nga klubet europiane për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, në Shqipëri ai dha jetën në fushën e lojës.