Qyteti i Lisbonës fitoi çmimin për destinacionin më të mirë të kuzhinës në Evropë për herë të parë në World Culinary Awards.
Çmimi u dha në një ceremoni të mbajtur në Dubai, dhe ndër qytetet që garonin ishin edhe Barcelona, Kopenhagen, Firence, Londra, Parisi dhe Vjena.
Gastronomia është një nga pikat kryesore kur zgjedh një destinacion turistik dhe Lisbona është e njohur prej kohësh për kulinarinë e saj të larmishme dhe cilësore. Nga restorantet tipike dhe lokalet me ushqim tradicional, te restorantet me firma dhe shefat e kuzhinës me yje Michelin që riinterpretojnë shijet klasike – ka një zgjedhje të gjerë që tërheq vizitorë nga e gjithë bota.
Kryetari i Bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, tha se “është një krenari e madhe të shohësh se identiteti dhe tradita e Lisbonës respektohen për herë të parë në këtë sektor dhe sesi kombinohet inovacioni me këtë traditë gastronomike. Është një njohje e cilësisë së gastronomisë për të cilën Lisbona është kaq e famshme dhe një çmim që inkurajon të gjithë profesionistët që e mbajnë atë gjallë” – tha ai.