10/07/2025
spot_img
HomeLAJMELiridona, Vanja, Giulia - Femicid apo tragjedi familjare?!

Liridona, Vanja, Giulia – Femicid apo tragjedi familjare?!

Sipas raportit më të fundit të UNODC, vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 89 000 femicide në mbarë botën. Shumica e tyre janë Afrikë dhe Azi. Në Gjermani numri i femicideve vitin e kaluar ka qenë 133, shumica janë vrarë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre. Në Kosovë, vlerësohet se që nga viti 2000 ka pasur 66 femicide, pra, mesatarisht nga dy në vit, për një vend me më pak se dymilionë banorë, kjo është një shifër shumë e lartë, thonë aktivistët. Në Serbi janë vrarë 27 gra në sulme mbi bazë gjinore. Në Bosnjë-Hercegovinë (3,3 milionë banorë) janë vrarë 65 gra vetëm në 10 vitet e fundit. Ndërsa ministri i drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, tha së fundmi se në katër vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut janë vrarë 19 gra nga meshkuj.

A janë viktimat e femicideve vetëm gra me status të ulët shoqëror?

Femicidi është i përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë, thonë ekspertet. Në shtator 2022, Zvicra u trondit nga vrasja e 41-vjeçares Shqiponja Isufi, vrasësi i të cilit pas shumë gjasash është i shoqi. Shqiponja ishte një aktiviste e njohur në mërgatën shqiptare në Zvicër, ishte sipërmarrëse e suksesshme dhe docente në një Universitet në St. Gallen. I dyshuari, i shoqi, një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që jetonte prej njëzet vitesh në Zvicër, e ka pranuar fajin dhe është në gjykim, siç bëhet e ditur nga Prokuroria në Baden të Zvicrës. Edhe Liridona Ademaj, sipas të dhënave të deritanishme, ka pasur një kompani të vetën të suksesshme në Suedi dhe gëzonte reputacion në qarqet e diasporës.

A mund të quhet vrasja në çift një tragjedi familjare?

Ka një sërë vendesh të Amerikës Latine që në gjyqe e trajtojnë femicidin si një vepër penale më vete. Në Evropë kjo nuk është arritur në asnjë vend deri tani. Madje në Gjermani: Në procese gjyqësore shumë gjyqtarë e kanë të vështirë të gjejnë termin e duhur kur trajtojnë vrasjet e grave nga partnerët ose ish-partnerët. Në shumë raste ato nuk e trajtojnë këtë vrasje si të qëllimshme, por si një goditje me pasojë vdekjen. Sepse mizogjinia apo sedra e lënduar e një mashkulli, siç pretendohet të ketë qenë motivi në rastin e Giulias nga Italia, nuk merren parasysh si tipare karakteristike për një vrasje. Ministrja gjermane e familjes, Lisa Paus, nga Partia e Gjelbër, po përpiqet ta fusë vrasjen mbi bazë gjinore si një tipar karakteristik të vrasjes. “Nuk ka vrasje as nga xhelozia e as nga dashuria”, thotë ajo. “Vrasjet në çift janë femicide”.

Si mund të parandalohen femicidet?

Femicidi nuk është fillimi, por është fundi i një kalvari vuajtjesh të mëparshme, thonë ekspertet dhe ekspertët. “Dhuna në familje nuk fillon me sulme fizike. Përkundrazi, është një proces i ngadaltë që shpesh fillon me kritika, xhelozi, kërcënime, fyerje dhe kontroll”, shpjegon Petra Söchting, drejtoreshë e Hilfetelon në Gjermani që këshillon të prekurit nga dhuna ndaj grave. Prandaj ajo u këshillon grave të prekura nga dhuna, që të bëhen vigjilente dhe të mos i injorojnë shenjat e para. Këshillimet bëhen edhe në gjuhën shqipe. Sipas informacioneve të Deutsche Welle-s, vitin e kaluar ka pasur 82 telefonata të zhvilluara me përkthyes në shqip. Numri më i madh i telefonatave me përkthim në vitin 2022 ishte në arabisht, 758.

Çfarë është Konventa e Stambollit

Femicidet parandalohen duke parandaluar dhunën e duke reaguar si duhet në momentin e raportimit të dhunës ndaj gruas: Konventa e Stambollit, një marrëveshje e Këshillit të Evropës e arritur në vitin 2011, është ratifikuar tashmë nga shumë vende, ndër to edhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ajo e klasifikon dhunën ndaj gruas si shkelje të të drejtave të njeriut dhe parasheh një sërë masash për të shpëtuar gratë nga dhuna e burrave. Të tilla janë, sigurimi i strehimit për gratë e kërcënuara, dënimi ose ndalimi i burrit t’i afrohet gruas së kërcënuar. Por shumë shpesh ajo çalon te implementimi.

Çfarë janë Orange Days?

Vanja, Giulia, Liridona u vranë, përkatësisht u varrosën pikërisht në të ashtuquajtura Ditë të Portokallta, të shpallura nga OKB-ja si ditët për parandalimin e dhunës kundër grave. Këto janë 16 ditë aksionesh që fillojnë nga data 25 nëntor, Dita ndërkombëtare të dhunës kundër grave, e deri në 10 dhjetor, Dita ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe synojnë të sensibilizojnë për dhunën ndaj gruas.

A është patriarkati shkaku i feminicidit?

Vrasja e Giulias nga ish-shoku i saj Filippo solli një ndryshim në opinionin italian, pasi e motra e viktimës Elena Ceccetti, i bëri thirrje shoqërisë të hidhte sytë te shtypja e grave dhe jo te Filippo si një vrasës individual. “Filippo nuk është përbindësh” tha ajo në televizionin italian. Ai është një “fëmijë i patriarkatit që depërton gjithçka dhe e një kulture të dhunshme”. Por ato nuk gjejnë mbështetjen e familjeve të veta, sepse mbizotëron mentaliteti që thotë: “Bëj ashtu si thotë burri”. Një fjalë, që ia kishte thënë edhe babai Liridonës, kur e bija i kishte kërkuar një këshillë. Mua kjo fjalë më mbeti si thikë në kraharor, thotë Xharra. Ndyshimi i këtij mentaliteti kërkon kohë dhe një pjesëmarrje më të gjerë të grave në poste drejtuese thotë Xharra./DW

TE TEJRA
~ JM Organics Macedonia ~ ~ Verona Travel ~ ~ RADIO RED ~ LIVE RADIO ~ Marmo Fix ~ ~ Doros Premium ~ ~ Caramell Baby ~

TE FUNDIT