“Kënga e fundit e regjistruar” e grupit “The Beatles” është në rrugë të arrijë në krye të top-listës, ka njoftuar organizata britanike “Official Chart”.
“Now And Then” të cilën e ka shkruar dhe kënduar John Lennon, e më vonë e kanë zhvilluar edhe kolegët e tij të grupit – përfshirë edhe të ndjerin George Harrison – e kanë përfunduar Sir Paul McCartney Sir Ringo Starr disa dekada pasi u realizua incizimi fillestar. Falë Inteligjencës Artificiale, është shkëputur vokali i John Lennonit nga incizimi i vjetër dhe në këtë formë katërshja ikonike është bashkuar virtualisht. Dyshja ende gjallë e “The Beatles” e përfunduan “Now And Then” vitin e kaluar në studion “Capital” në Los Angeles e në regjistrimin e ri janë futur edhe kitara akustike e elektrike e George Harrisonit e incizuar në vitin 1995.
Paul McCartney dhe Ringo Starr kanë futur edhe hisen e vet në bas, piano dhe në bateri. Pasi kënga u lansua të enjten, është në rrugë që të bëhet e 18-a këngë e “The Beatles”, e cila zë kreun e top-listës, ka theksuar “Official Chart”. Kjo do të ishte e para që kryeson pas 54 vjetësh. Për herë të fundit në atë pozitë qe “The Ballad Of John And Yoko” në vitin 1969. Në mesin e hiteve të tyre që kryesonin listat ishin këngët: “Hey Jude”, “All You Need Is Love”, “Yellow Submarine”, “Help!”, e të tjera.
Now And Then” u shkrua dhe u këndua nga John Lennon në fund të viteve ‘70, në shtëpinë e tij në New York City. Në vitin 1994, e veja e Lennonit, Yoko Ono, ia dhuroi draftin e përafërt të demos Paul McCartneyt në një pako, ku shkruhej: “Për Paulin”. Aty përfshiheshin gjithashtu draftet e këngëve, “Free As a Bird” dhe “Real Love”, të cilat u lansuan për publikun gjatë viteve ‘90 si pjesë e projektit “Anthology”.
Paul McCartney, Ringo Starr dhe George Harrison kishin punuar bashkë në krijimin e këngës së re, “Now And Then”, por limitet teknologjike atëkohë e penguan këtë proces. Me ndihmën e një programi të asistuar nga Inteligjenca Artificiale, regjisori Peter Jackson i mënjanoi këto probleme, duke e shkëputur vokalin origjinal të Lennonit nga tingulli i një pianoje. Vokali tashmë i qartë ua mundësoi McCartneyt dhe Starrit që ta përfundojnë këngën vitin e kaluar.
“Ja ku ishte zëri i Johnit, i pastër si kristali. Ishte goxha emocionuese. Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj performance. Pra është një incizim real i ‘The Beatles’. Dhe fakti që jemi në vitin 2023 duke punuar ende në lansimin e një kënge të grupit, të cilën publiku nuk e ka dëgjuar më parë, është një përvojë goxha emocionuese”, kishte thënë McCartney pak ditë para lansimit të këngës së re. “Now And Then” përfshin tinguj të kitarës, të cilat Harrison i kishte incizuar para tri dekadave, disa melodi të reja në bateri të interpretuara nga Starr, derisa McCartney performon në kitarë, bas-kitarë dhe në piano. Zërat shoqërues në këngë po ashtu janë interpretuar nga McCartney dhe Starr. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata krijuan vokale shoqëruese nga incizimet origjinale të këngëve, “Here, There and Everywhere”, “Eleanor Rigby” dhe “Because”.