Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se në Prekaz të Skenderajt, gjatë procesit të gërmimeve, janë zbuluar mbetje mortore që datojnë nga periudha e luftës së fundit.
Haxhiu informoi se mbetjet do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Andin Hoti, i cili kryeson Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë me dije gjetjen e re dhe ka shprehur dyshimet se eshtrat mund t’i përkasin individëve nga lista e të zhdukurve të luftës.
Më herët, më 9 nëntor, ky Komision raportoi për gjetjen e mbetjeve mortore gjatë gërmimeve në fshatin Prekaz, të cilat besohet se mund të jenë gjithashtu të personave të zhdukur gjatë luftës, gjegjësisht, dyshohet se janë të një personi që ishte viktimë e masakrës së Polacit.
Aktivitetet e gërmimit për gjetjen e të zhdukurve nuk po zhvillohen vetëm në Kosovë, por janë rinisur po ashtu edhe në Serbi, konkretisht në lokacionin e quajtur Shtavajl.