Vëllai i Liridona Ademaj-Murseli, Leonard Ademaj ka folur pas seancës dëgjimore që është mbajtur sot në Gjykatën Themelore.
“Liridona u vra në mënyrën më mizore dhe makabre që mund të jetë. Ishte grua, motër dhe nanën e fuqishme dhe doli të jetë heroinë dhe për fëmijët e saj. Ne po e përmbajmë vetën sepse ajo nuk donte asnjëherë të na shihte në këtë gjendje”, tha vëllai i të ndjerës.
“Dajë na kan dal përpara na kanë sulmu, na kan lyp paret unë nuk jau kom jep. Jemi kon kerr na ka marrë babi kemi ec rrugës, e kemi harru mamin në kerr”, tregon vëllai i së ndjerës se çfarë i thanë fëmijët.
Leonardi theksoi se “nuk mundem me imagjinuar në çfarë gjendje ka qenë motra ime kur e ka pa burrin tu ik nga vetura me dy fëmijët”.
Ai shtoi se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se ju ka vdekur nëna.
“Nuk ka pasur ditë bese, ne besojmë në drejtësinë e Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, ata janë mirë. Janë duke u përkujdesur prindërit e Naimit”, ka thënë Ademaj.
Leonard Ademaj tregoi se si bashkëshorti i motrës u përpoq t’ua fshihte skenarin e vërtetë të vrasjes.
“Tha kam dashtë me i shpëtu fëmijët, kam shku me kërku ndihmë. S’ma çelke kurrkush derën. Ka dalë një grua në ballkon, i kam thanë ‘thirre policinë’, më ka thënë s’di me thirrë policinë. Tha kam shku në shitore, i kam thanë a mundet dikush me u kujdes për fëmijët deri t’i thirri policinë. Jo më tha ai unë i thirri policinë. Ti rri këtu se s’bën me shku. Po pse është kah të thotë ai, ti duhet me shku se e ke gru”, tha Leonard Ademaj para gazetarëve.
Ademaj shtoi se “uroj që Liridona të jetë rasti i fundi që ka vdek dhe të mos vritet më asnjë grua”. Ai bëri të ditur se nuk i është lejuar hyrja sot në seancën dëgjimore.
“Nuk kom pas informacion që nuk bënë me qenë në seancë sot, e kemi bërë kërkesën për zhvarrosje. Rivarrimi me ndodh sa më shpejtë është më lehtë për neve si familjarë dhe me nau lehtësua dhimbja. Ende nuk kemi marrë përgjigje nga Prokuroria”, tha Ademaj.
Vëllai i së ndjerës u shpreh se si familje dyshojnë që motivi i vrasjes të ketë qenë vetëm për shkak të parave. /Telegrafi/