Është publikuar së fundmi dëshmia e plotë e Granit Plavës, autorit të vrasjes së Liridona Ademajt të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë. Pas arrestimit të Plavës, u mësua se ky i fundit kishte deklaruar se Naim Murseli bashkëshorti i Liridonës, i kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e saj.
Autori Granit Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar ditën e vrasjes së Liridonës dhe i ka kërkuar që të kryhet krimi.
“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.
Por çfarë nuk dihej, ka qenë fakti se Plava ka dëshmuar se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në makinë ka qenë edhe Naim Murseli ndërsa fëmijët jo.
“Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, kur Liridona Murseli sapo kishte dalë nga një restorant me fëmijët e saj dhe bashkëshortin Naim Murseli. Ky i fundit e raportoi ngjarjen si një grabitje por më pas është ‘thyer’ para hetuesve duke pranuar se ishte ai që kishte organizuar krimin e rëndë.