Kompania e filantropit shqiptar Lazim Destani, “Ecolog International” ka dhuruar një donacion në vlerë mbi një milion euro për Spitalin Klinik të Tetovës.
Në lidhje me këtë, në hapësirat e spitalit u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi midis kompanisë Ecolog International, përfaqësuar nga filantropi Lazim Destani dhe Spitalit Klinik të Tetovës, përfaqësuar nga Drejtori i Spitalit, Dr. Spec. Ilir Demiri.
Memorandumi ka të bëjë me donacionin e radhës që familja Destani ka vendosur të bëjë në qytetin e Tetovës, donacion i cili do të zhvillohet në periudhën në vijim dhe do të fillojë me rikonstruimin total të një pjese të godinës për sëmundjet interne, një hapësirë prej 1200 m2 ndërsa do të vazhdojë me mbështetje në mjete teknologjike, pajisje, inventar, etj.
Dr. Spec. Ilir Demiri u shpreh se është mirënjohës që kompania Ecolog ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Spitalin Klinik të Tetovës, ku parashikohet që vlera e donacionit të jetë mbi një milion euro.
Në anën tjetër filantropi Lazim Destani u shpreh i lumtur që ka mundësinë ta ndihmojë Spitalin Klinik të Tetovës.
“Jam i bindur se pacientët tetovarë meritojnë kushte dhe trajtim europian, ashtu siç bashkërisht na ka hije të jemi qytetarë europianë dhe vend europian. Jam falënderues edhe familjes sime për këtë donacion, si dhe punës së përkushtuar të Dr. Ilirit që reflekton besim, se me qasje të sinqertë dhe profesionale mund të bëhen ndryshime të mëdha”, tha Destani.
Kujtojmë se komania Ecolog në vazhdimësi jep donacione dhe ndihmon shumë institucione shëndetësore, arsimore, kulturore etj, në gjitha trevat shqiptare, si Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.