Bekim Balaj ishte heroi i Vllazninë me dygolëshin e tij ndaj Tiranës. Si lojtari më i mirë i ndeshjes, sulmuesi shkodran veçon më shumë faktin që golat e tij i dhanë tri pikë skuadrës.
“Për mua e rëndësishme të kontribuoj për skuadrën. Sot arrita të shënoja dhe fituam një ndeshje të rëndësishme, na mban në vendin e parë për këtë vit. Është vetëm ndeshja e parë, kemi shumë për të bërë.
Për mua golat janë gjithmonë të rëndësishëm, pak rëndësi ka kujt i shënoj. Me Tiranën ka rëndësi sepse jo më kot është derbi i Shqipërisë. Shpresoj që mbështetja e tifozëve të mos mungojë dhe t’i kemi më të shumtë në ndeshjet e ardhshme.
Mundohem të jap më të mirën time. Gjithsesi motivimi dhe dëshira për të dhënë më të mirën nuk më ka munguar. E ndiej peshën e fanellës, sepse këtu jam rritur dhe luaj në qytetin tim, për Vllazninë, që më ka dhënë shumë. Jam kthyer me dëshirën për të bërë më të mirën.
Sot nuk e nisëm në mënyrën më të mirë. Goli i Tiranës na vendosi pak në siklet, por reflektuam në pjesën e dytë. Goli i dytë ishte ai që na gëzoi të gjithëve, akoma më shumë mua sepse ishte i fitores.
E rëndësishme për ne kur sheh “Loro Boriçi” të flaktë dhe në mbështetje të Vllaznisë. Disa ndeshje realisht na ka munguar dhe shpresoj ta kemi në ndeshje të ardhshme sepse është energji ekstra për çdo lojtar.
Shpresoj të jem në gjendje të kontribuoj në më shumë klasike dhe te Vllaznia. Ka lojtarë që kanë talentin, por nuk mjafton. Duhet shumë punë çdo ditë në terren. Kanë mundësi të artë të veshin fanellën e Vllaznisë. Duhet vetëm të punojnë. Asgjë nuk vjen rastësisht, mundohem të jap një shembull”, tha Balaj.